Hakmarrja serviret e ftohtë dhe këtë më mirë se kushdo po e bën Kina, përkundrejt BE-së. Pak pasi Bashkimi Europian vendosi tarifa më të larta për makinat e prodhuara nga Pekini që hyjnë në tregun e unionit, vendi Aziatik përgjigjet me një hetim për nënproduktet evropiane të qumështit, si djathërat dhe gjiza.
Djathërat e freskët, gjiza dhe disa produkte qumështi e kremi përfunduan në lupën e hetimit të Pekinit, pas një kërkese të paraqitur në fund të korrikut nga Shoqata e Industrisë së Qumështit në Kinë. Pekini, duke analizuar një sektor me vlerë qindra milionë euro, tha se hetimi do të ketë të bëjë me skemat e subvencionimit të nisur deri në fund të marsit 2024 dhe çdo dëm të pësuar nga industria kombëtare kineze midis fillimit të vitit 2020 dhe marsit të kaluar.
Në hetim pritet të jenë planet kombëtare të subvencionimit në Irlandë, Austri, Belgjikë, Itali (në veçanti, ato për sigurimin e bagëtive dhe logjistikën e qumështit), Kroaci, Finlandë, Rumani dhe Republikën Çeke.
Hetimi pritet të përfundojë brenda një viti dhe është i pari hap drejt vendosjes së taksave dhe gjobave, ndërsa pritet të pasohet nga një hetim për konjakun francez, raporton televizioni A2.
Siç raporton Il Sole 24 Ore, duke cituar të dhënat e doganave kineze, BE-ja është furnizuesi i dytë më i madh i produkteve të qumështit në Kinë, me të paktën 36% të vlerës totale të importeve në 2023 pas Zelandës së Re.
Sipas të dhënave të Eurostat, vitin e kaluar Bashkimi ka eksportuar 1.7 miliardë euro djathë dhe produkte qumështi, e barabartë me 9.5% të totalit të eksporteve, raporton A2.
Më 20 gusht, Brukseli konfirmoi synimin e tij për të vendosur tarifa deri në 37% për importet e makinave elektrike kineze, përveç tarifës ekzistuese prej 10% për të gjitha automjetet e importuara në Evropë. Reagimi i Kinës pas këtij vendimi ishte i pritshëm, duke pasur parasysh presionin dhe tonin e përdorur javët e fundit.
Vendimi i Brukselit për të rritur tarifat për makinat elektrike është cilësuar nga Pekini si “proteksionizëm” dhe “konkurrencë e pandershme në emër të konkurrencës së ndershme”. Dhe acarimi është rritur për shkak të trajtimit preferencial që u është bërë nga BE-ja makinave Tesla të prodhuara në Kinë, tarifat e importit të të cilave janë ulur në 9% nga 20.8% që ishin më parë.
Ministria e Tregtisë në Pekin ka siguruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime” të kompanive kineze, ndërsa Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave (Caam) dhe organizata e fuqishme e prodhuesve të automjeteve Dragon, u ankua për “rreziqe të mëdha dhe pasiguri” në lidhje me operacionet dhe investimet e kompanive në BE, shkruan televizioni A2.
Si rezultat, aksionet e prodhuesve të makinave elektrike në Kinë pësuan humbje të mprehta në bursat e Hong Kongut, Shangait dhe Shenzhenit. Nio dhe Xpeng humbën 2% , ndërsa Geely Auto dhe Saic rreth 0.50%.
Reagimi negativ i tregjeve lidhet me faktin se prodhuesit kinezë të makinave e kanë pësuar tashmë goditjen. Në korrik, kur detyrimet hynë në fuqi përkohësisht, 45% më pak makina elektrike u regjistruan në BE nga Dragon./A2