Libraritë ende të pafurnizuara me tekste, prindërit të shqetësuar me vonesat

 

 

Një nga libraritë në kryeqytet të enjten, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, nuk kishte arritur të furnizohej ende me tekste shkollore, çka bëri që prindërit të kthehen pa blerë libra. Ekonomia Online ka biseduar me disa prindër, të cilët shprehën zhgënjimin me procesin e subvencionimit.

Disa prej tyre, thanë se mënyra e vjetër ka qenë më e lehtë, e disa të tjerë nuk e shohin fortë tragjike subvencionimin e teksteve shkollore.

Drita Canolli ka thënë për Ekonomia Online, se shpërndarja e librave nëpër shkolla ka qenë më e mirë, sesa subvencionimi, ndonëse mënyrën e aplikimit nuk e sheh shumë të mundimshme. Ajo ka thënë se është subvencionuar për vajzën e parë, ndërsa për të dytën është në pritje.

“Sot erdha për me shiku se a janë ardhur librat për me i ble, mirëpo nuk kishin ardhur ende. Këta na thanë që iu lajmërojmë normal, më mirë kishte me qenë që të ishte si përpara me qenë librat. Mënyra e aplikimit nuk ka qenë e vështirë kemi aplikuar, për njërën vajzë kanë dalë paratë, kurse për tjetrën ende jemi duke pritur. Vajzat e mia i kanë pasur mirëpo për njërën kanë dalë menjëherë paratë, kurse për tjetrën kanë dalë pak më vonë nga fundi. Unë kisha menduar që më mirë të jenë librat si më herët”, ka thënë ajo.

Pa tekste shkollore për fëmijët e tij ishte edhe Mentor Ruhani. Ai konsideron se kjo mënyrë nuk është shumë e mundimshme.

“Librat ende nuk kishin ardhur, vjet e sivjet mirë ka shkuar, vjet e sivjet i kam blerë librat për vajzat dhe më pas i kanë qit librat. Ne po i blejmë vet kurse Qeveria po na japin paratë. Fëmijët e mi nuk kanë mbetur pa libra sepse i kam ndenjur gati nga fillimi dhe nuk kam pasur problem për asnjërën. Njërën e kam në klasë të dytë tjetrën në të katërtën. Më mirë ka qenë atëherë që librat janë dërguar në shkollë”, u shpreh ai.

Ndërsa Azem Gjakolli, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që subvencionimin e teksteve shkollore ta mendojë me kohë, pasi ky proces nuk është i lehtë për ta.

“Nuk është lehtë edhe për prind, por Ministria e Arsimit duhet të planifikojë me kohë librat, dhe të jenë të përgatitur ende pa filluar viti i ri shkollor. Kështu që Ministria e Arsimit duhet të ndajë mjete për libra, por që për prind të ardhurat mujore nuk janë në nivel të kënaqshëm dhe duhet të punohet më shumë në këtë drejtim. Jo vetëm tek ne por edhe në shtetet e perëndimit një pjesë të librave i blejnë edhe prind por pjesën më të madhe e blejnë nga Ministria e Arsimit”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d