Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Astrit Mehmetit, i njohur me nofkën “Llepota”.
Burimet e Paparacit konfirmojnë se urdhërarresti është lëshuar të mërkurën dhe përfshin dy vepra penale: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Astrit Mehmeti, i njohur si “Llepota”, ka një histori të gjatë me organet e rendit, si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë saj.
Ai ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale dhe konflikte të armatosura.
Një nga ngjarjet më të rënda është konflikti i armatosur në diskotekën “Duplex” në nëntor të vitit 2019.
Ky incident rezultoi në plagosjen e katër pjesëtarëve të sigurimit të lokalit: Mentor Bogujevci, Arben Jashari, Kujtim Gashi dhe Arsim Shala.
Pas këtij konflikti të dhunshëm, Mehmeti arriti të shmangte arrestimin duke u arratisur në Spanjë, ku ai qëndroi për disa kohë.
Megjithatë, në prill të vitit 2021, autoritetet spanjolle arritën ta arrestonin atë, duke vepruar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar./