Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Drenoc të Malishevës, ku një person dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij.
Gazeta mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe e ka denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre, në sy të fëmijës.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka grushtuar viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje”.