Nga 14 gushti deri më 17 gusht është urdhëruar kufizim i orarit të punës në vend për kategori të caktuara, dhe jo vetëm, për shkak të temperaturave të larta me të cilat po përballet vendi. Në bazë të vendimit, punëtorët me sëmundje kronike nuk duhet të punojnë nga ora 11:00 deri në 16:00, ose nëse ka mundësi mund të punojnë nga shtëpia. Megjithatë, kjo siç duket s’po respektohet nga Policia e Kosovës.
Siç merr vesh Gazeta Sinjali, në Policinë Rajonale në Prizren, një vendim i tillë s’po zbatohet dhe disa zyrtarë policorë që kanë sëmundje kronike kanë dalë në punë dhe kanë punuar edhe në orët kur është e ndaluar.
Të njëjtat burime thonë se vendimi është dërguar në stacione dhe nënstacione policore, por që urdhri nuk është vënë në funksion në të gjitha prej tyre.
Kjo nuk është hera e parë që vendimi i shtetit s’u respektua nga Policia në Prizren, njëjtë ka ndodh edhe herën e kaluar kur ishte marrë një vendim i ngjashëm për kufizimin e punës gjatë pikut të nxehtësisë.
Në njoftimin e fundit të MSH-së, të lëshuar më 13 gusht, por të hyrë në fuqi më 14 gusht, tregohet se vendimi është marrë për shkak të temperaturave të larta në vend.
Temperaturat këto ditë arritën deri në 36 grandë në Kosovë dhe pritet që kjo valë e nxehtësisë të vazhdojë së paku deri të shtunën.