Gjithçka që dihet për superveturën elektrike të Ferrarit

 

 

Gjiganti i veturave, Ferrari, do ta shpalosë modelin e parë elektrik deri në fund të vitit të ardhshëm. Konsiderohet hap ndër më të më mëdhenjtë në historinë e kompanisë italiane.

Shefi ekzekutiv, Benedetto Vigna, ka thënë se modeli elektrik s’do ta ndryshojë ndjenjën unike që e ofron Ferrari.

Më herët gjatë vitit në një intervistë Vigna bëri shaka duke thënë se modeli elektrik “do t’i ketë katër rrota”, duke refuzuar të japë detaje. Por raportimet nuk janë ndalur dhe tashmë ka gjëra që dihen për superveturën elektrike, por shumë mbeten mister.

Si do të quhet?

Ferrari ende nuk ka bërë të ditur ndonjë emër, por pritet që të ketë emër dhe të mos përdorë shkurtesa të kombinuara me numra.

Si do të duket?

Kompania e ka mbajtur të fshehtë dizajnin e veturës. Megjithatë, sipas raportimeve, pritet që modeli të ketë pamje agresive prapa. Ndryshimet pritet të bëhen edhe për shkak të përshtatjes së konstruktit me motorët elektrikë. Detajet pritet të zbulohen me kohë.

Cila do të jetë fuqia e tij?

Ferrari nuk ka treguar për llojin e baterive që do t’i përdorë te modeli. Megjithatë ajo që dihet është se bateritë s’do të jenë litium-hekur-fosfat. S’dihet a do të ketë sistem me katër apo me dy motorë.

Zhurma

Ferrari njihet për zhurmën e tij speciale. Për shkak të motorëve elektrikë ka pasur dyshime se kjo do të ndryshojë, por kompania është zotuar se pavarësisht mungesës së motorëve me djegie, “tingulli unik” nuk do të hiqet.

Kur do të debutojë?

Ferrari do ta nxjerrë në publik modelin elektrik para fundit të vitit 2025. Megjithatë, kompania nuk ka dhënë ende datë fikse.

Kur do të dalë në shitje?

Ferrari i ri elektrik do të dalë në shitje në vitin 2026. Vetura pritet të nisë prodhimin atë vit në fabrikën në Maranello.

Çmimi?

Sipas raportimeve, modeli elektrik do të kushtojë rreth 500 mijë dollarë në çmim fillestar. Megjithatë, shefi ekzekutiv ka thënë se ky raportim i ka befasuar. Pritet që çmimi të jetë më i ulët se raportimi.

A do të bëhet Ferrari tërësisht elektrik?

Jo, Ferrari nuk do të kalojë në modele krejtësisht elektrike së shpejti. Gjiganti italian do të vazhdojë të prodhojë vetura me djegie të brendshme, hibridë si dhe modele elektrike varësisht kërkesave. Kompania pret që deri në vitin 2030, kërkesat për vetura hibride dhe elektrike të arrijnë 80-përqindëshin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d