Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Shpejtim Shurdhiqi, ka thënë se si rezultat i renovimeve që së fundi janë bërë në këtë Klinikë, janë shtuar mundësit që brenda javës të kryhen 10 operacione dhe të bëhen operacione me komplekse me zemër të hapur.
Duke folur për renovimin e Klinikës, ai ka thënë se tashmë është rritur edhe numri i shtretërve, është krijuar një dhomë e izolimit për infeksione intraspitalore, e po ashtu edhe një hapësirë me rreth 200 metra katror, e cila ka qenë e pa shfrytëzueshme, tani shfrytëzohet për depo të barnave, arkiva, pjesën e gardërobës të stafit të Klinikës edhe për zyre për mjek.
“Është bërë një punë madhore e cila në rend të parë krijon kushte të mira për vetë pacientet e posaçërisht tash edhe me stafin e Klinikës e cila krijon mundësi që këto operime që bëhen çdo ditë në Klinikën tonë të kenë një qasje më të lehtë dhe mundësin e kryerjes së numrit më të madh të operacioneve. Tash veç kemi filluar punët në ambientet e reja. Gjatë kësaj kohë sa kemi qenë në renovim ne punën e kemi kryer në mjekësin e Klinikës Fizikale, aty kemi vazhduar me një sall të operimit, të gjitha rastet urgjente dhe emergjente janë kryer aty. Ky ambient i ri ka lehtësuar punë e vetë stafit po njëkohësisht në një ambient shumë ma i mirë për vetë paciente. Kemi arrit që gjatë këtij renovimi të shtojmë numrin e shtretërve, për shembull ne intensiv kemi arrit që nga katër të shtojmë në 10, në kuadër të intensives kemi arrit që të krijojmë edhe një dhomë të izolimit për infeksione intraspitalore. në repart kemi shtruar edhe tre shtretër të cilët kanë rritur numrin e tërësishëm në 17. Pjesa tjetër në nën-kulëm e cila ka qenë e pa shfrytëzueshme, me hapësirë diku rreth 200 metra katror të cilat sot ne e shfrytëzojmë për depo të barnave, arkiva, pjesën e gardërobës të stafit të Klinikës edhe kemi krijuar zyre për mjek dhe kardiokirurg edhe anesteziolog”, tha Shurdhiqi.
Shurdhiqi ka thënë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, si shkak i renovimit ka rënë numri i operacioneve, ku për këto muaj janë kryer diku rreth 160 raste.
“Gjatë kësaj periudhe një numër i reduktuar i operacioneve në krahasim me vitin e kaluar për arsye se tash kemi qenë të obliguar të operojmë vetëm në një sall të operimit, deri tash, deri në fund të qershorit, numri i operacioneve ka qenë diku rreth 160 raste të cilat janë operuar. Është një numër relativisht i mirë për arsye se ka qenë edhe vullneti i kardiokirurgeve që krahas operacioneve, çdo ditë që kemi operuar kemi pasur me vullnetin e tyre që një ose dy operacione të vazhdohet me operime edhe pas dite, madje vullneti i tyre ka qenë që këto operacion madje as të mos rimbursohen, mos të dërgohen orë shtesë ku qëllimi ka qenë që lista e pritjes të mos ndikoj në rritje”, ka thënë ai.
Drejtori i Kardiologjisë ka thënë se lista e pritjes për gjashtëmujorin e parë ka pasur një rritje të vogël, për shkak të renovimit, por që deri në fund të vitit kjo listë do të zvogëlohet përsëri.
“Fatmirësisht në fillim të vitit të kaluar një listë e pritjes ka qenë mbi një vit, në fund të viti të kaluar kjo listë është zvogëluar në dy muaj. Lehtësisht kemi rritje gjatë këtij gjashtë mujori të renovimit të Klinikës, por mendoj që në fund të vitit kjo listë do të zvogëlohet përsëri, për arsye që tani do të kemi mundësi që brenda javës të operojmë në 10 raste, shto këtu edhe rastet emergjente. Kështu mendoj që në fund të viti nuk do të kemi me një listë e cila do të paraqes problem. Mundësi e renovimit ka krijuar mundësi që të kemi një numër më të madh të operimeve, planifikohet 10 raste në javë. Kemi mundësi që të rritet edhe komplekisiteti i operacioneve, do të thotë behën operacione më të mëdha, për arsye se tash kemi një mundësi të përcjelljes më të gjatë edhe në pjesën e intensives. Një hap në drejtim të rritjes se numrit dhe mundësisë së operimeve me operacione me komplekse me zemër të hapur”, ka thënë ai për EO.
Shurdhiqi ka thënë se ajo çka i’u ka paraqitur probleme ka qenë pjesa e anestezionit, por që fal bashkëpunim të mirë me Klinikën e Anestezionit ia kanë dal në këtë aspekt.
Ai ka thënë se ajo çka duhet të theksohet është nevoja për infermier.
“Sa i përket numri të kardiodiokirurgëve jemi të mjaftueshëm. Mirëpo ajo çka na ka paraqitur probleme ka qenë pjesa anestezionit, ku është një numër pak më i reduktuar. Por fatmirësisht si kardiokirurgji kemi gjetur një gjuhë të përbashkët dhe bashkëpunim të mirë me Klinikën e Anestezionit, dhe fatmirësisht nuk kemi pasur probleme në këtë aspekt. Ajo çka është me qenësore të theksohet është nevoja për infermier, si në repart si në mjekimin intensiv. Ne tani vetëm kemi paraqitur kërkesën edhe në kuadër të drejtorisë qendrore që në konkursin e fundit të kemi mundësin të inkorporojmë infermier të rinj. Në këtë formë ta zbusim këtë mungesë të ndjeshëm dhe jashtëzakonisht të madhe të infermiereve”.
“Vitin e kaluar edhe vitet e me hershme kane shkuar jashtë diku 3-4 infermier dhe një kardiokirurg, mirëpo këtë vit nuk kemi pasur as një që është liruar nga klinika jonë që më vazhduar diku tjetër, qoftë privat apo qoftë jashtë vendit”, ka thënë ai.