A do të ketë shërbim të detyrueshëm ushtarak? – përgjigjet ministri Maqedonci

 

 

Me qeverinë tonë, shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm”. Kështu ishte shprehur Albin Kurti, më 3 shkurt të vitit 2020, teksa para deputetëve po e prezantonte programin qeverisës dhe po kërkonte votimin e qeverisë së udhëhequr nga ai.

Mirëpo, ky premtim nuk do të realizohet. Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk ka qenë qëllim në vetvete, por mjet për forcimin e FSK-së.

“Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse është element i përafërt me idenë e shërbimit të detyrueshëm, është për t’u theksuar që shërbimi i detyrueshëm nuk ka qenë qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur një qëllim dhe që është ndërtimi i një sistemi mbrojtës të aftë për të mbrojtur territorin e Republikës së Kosovës”, tha Maqedonci në Rubikon të Klan Kosovës.

Ministri tha se në këtë fazë të tranzicionit të FSK-së nuk është i paraparë shërbimi i detyrueshëm ushtarak, megjithatë ai shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës mund t’i bashkohen FSK-së në baza vullnetare.

“Edhe mbrojtja gjithëpërfshirëse e ka këtë synim, pra ndërtimin e një sistemi të aftë për të mbrojtur vendin, pra të gjithë qytetarët do të ketë mundësi të jenë pjesë e strukturave të sigurisë, të mbështesin sistemin. Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse është shërbim vullnetar dhe dëshira e shumicës së qytetarëve të Kosovës është të kontribuojnë për vendin tonë. Në këtë fazë nuk do të ketë (shërbim të detyrueshëm ushtarak). Aktualisht prioritet është përmbushja e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, plan i dakorduar edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe inicimi, funksionalizimi i mbrojtjes gjithëpërfshirëse si koncept i ri për mbrojtje dhe siguri, pra këto dy fusha janë fusha në të cilat do të fokusohemi në dy vitet në vijim”, tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d