Një 30 vjeçare nga Komuna e Malishevës ka vdekur javën që shkoi në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Vdekja e saj po dyshohet se erdhi si pasojë e trajtimit jo-adekuat nga mjekët e këtij spitali privat në kryeqytet. Për këtë, rasti po hetohet nga Prokuroria e Shtetit.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur të premten hetim për vdekjen e 30 vjeçares A.M.-D., nga fshati Llozicë e Malishevës. E reja që u shtrua në Spitalin Amerikan në Prishtinë për probleme me veshkat, në të njëjtin spital gjeti vdekjen.
Familja dyshojnë se ajo humbi jetën si pasojë e trajtimit jo-adekuat të pacientes nga mjekët dhe stafi i Spitalit Amerikan në Prishtinë. Për këtë, Prokuroria e Shtetit po kryen hetimet, nën dyshimet se pati neglizhencë mjekësore duke mos i dhënë ndihmën mjekësore, gjë që rezultoi fatale për 30 vjeçaren, merr vesh gazeta online Reporteri.net. Me të po merret një prokuror nga departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore të kryeqytetit.
Trupi i pajetë i së rejës nga komuna e Malishevës, u mor të premten për Obduksion në IML. Familja tek sot e mori kufomën, për ta varrosur pasdite në vendlindjen e saj, në fshatin Llozicë të Malishevës.
Gazeta online Reporteri.net, të hënën, ka provuar të marrë konfirmim zyrtar nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, në lidhje me hetimin e rastit në fjalë, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje. Po ashtu, mediumi, përmes e-mailit, ka kontaktuar për sqarime rreth rastit edhe me Spitalin Amerikan në Prishtinë, por as ata ende nuk kanë kthyer përgjigje.