Frika për përshkallëzim në Lindje të Mesme, Joe Biden mbledh ekipin e sigurisë kombëtare

 

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar “zhvillimet në Lindjen e Mesme” mes frikës në rritje për një sulm iranian në Izrael, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Tensionet rajonale janë rritur pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran, një ditë pasi një sulm izraelit në Bejrut vrau Fuad Shukur, një komandant i lartë ushtarak nga grupi libanez Hezbollah.

Të dy grupet mbështeten nga Irani, i cili është betuar për hakmarrje. Bëhet e ditur se Bideni, do të flasë gjithashtu me mbretin Abdullah II të Jordanisë, ndërsa SHBA-ja nis një raund të ri diplomacie që synon ftohjen e tensioneve.

“Qëllimi i përgjithshëm është ulja e tensioneve në rajon, frenimi dhe mbrojtja kundër këtyre sulmeve dhe shmangia e konfliktit rajonal”, tha Jonathan Finer, zëvendës këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Por, frika po rritet se lufta e Izraelit kundër militantëve palestinezë në Gazë, e cila filloi pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit, mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë në Lindje të Mesme, shkruan “The Guardian”. 

Gjatë një bisede mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe kryeministrit irakian, Mohammed Shia al-Sudani, raportohet se al-Sudani i tha diplomatit amerikan se parandalimi i përhapjes së konfliktit është i lidhur me ndalimin e “agresionit” izraelit në Rripin e Gazës.

Si Hezbollahu në Liban ashtu edhe Houthit në Jemen kanë thënë se kanë nisur sulmet ndaj Izraelit në solidaritet me palestinezët në Gazë, ku pothuajse 40,000 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm jordanez, Ayman Safadi bëri një udhëtim të rrallë në Teheran në një përpjekje të fundit për të frenuar Iranin, por përpjekja dukej e destinuar të dështonte. Në një takim me Safadi, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vrasja e Haniyeh ishte një “gabim i madh i regjimit sionist të Izraelit që nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli ishte tashmë i përfshirë në një “luftë shumë-frontesh” me Iranin dhe përfaqësuesit e tij dhe ishte gati për çdo skenar, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant paralajmëroi: “Nëse ata guxojnë të na sulmojnë, ata do të paguajnë një çmim të rëndë”.

Ndryshe, Arabia Saudite, Italia dhe Franca janë të fundit nga disa vende që u bënë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Libani mes tensioneve në rritje. Disa linja ajrore perëndimore kanë pezulluar edhe fluturimet drejt Libanit dhe aeroporteve të tjera në rajon, përfshirë Tel Avivin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d