Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se zyrtarisht ka filluar repelimi i kafshëve në fshatin Lubizhdë, komuna Malishevës kundër sëmundjes “Ethet Hemorragjike Krime-Kongo” që shkaktohet nga infeksioni me virusin i cili bartet nga rriqna.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka thënë se repelimi përfshinë komunat Malishevë si më e rrezikuara, Rahovec, disa fshatra të komunave Klinë dhe Suharekë si dhe mbështetet në Strategjinë Kombëtare për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK).
“AUV po ekzekuton masën e repelimit në të gjitha fermat blegtorale në zonat e rrezikuara për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Ekipet mobile po vizitojnë derë më derë fermat për repelimin e kafshëve. Preparati i përdorur është i sigurt për kafshët dhe ekipet në terren janë profesionale. Inspektorët e AUV-it dhe ata komunalë do të monitorojnë dhe lehtësojnë zbatimin e fushatës”, ka thënë Peci.
Ai ka ftuar të gjithë fermerët të bashkëpunojnë për një rezultat sa më të mirë në luftimin e kësaj sëmundjeje.