Boksieri amator Medi Iseni, i famshëm për paraqitjet e tij në platformën e rrjeteve sociale TikTok, është deklaruar për një sulm brutal ndaj tij nga reperi shqiptar Rigels Rajku – Noizy dhe grupi i tij.
Disa pjesëtarë të grupit të reperit Noizy e sulmuan me boks të hekurit dhe mjete të forta Medi Isenin dhe dhëndrin e tij.
Ngjarja ndodhi në një klub nate në Pejë të mërkurën në mbrëmje, ku reperi shqiptar ishte i ftuar të performonte.
Iseni, në një deklarim për Klan Kosova të premten, tha se ai është prerë në besë nga Arkimed Lushaj, një tjetër reper nga Shqipëria.
“Mu më ka thirre në Pejë reperi Stresi, Arkimed Lushaj. Unë atë kohë isha me nipa të mi, me familjarë të tjerë. Masi koncertin, më thirri aty mrena Stresi, si jam futë në backstage mas një minuti, na kanë shti në kurth, na kanë rrah me boksa të hekurit, me shipka, me gjithçka. As sigurimi i lokalit nuk ka ndërhyrë”, tha Iseni të premten.
“I kam diku 40 këmbëza në fytyrë të qepura. Dhandri im nuk është bash sikur unë në këtë gjendje”, tha ai.
Iseni insistoi se është prerë në besë nga Arkimed Lushaj, i cili e ftoi atë dhe dhëndrin e tij në dhomën e lokalit ku po qëndronin Noizy dhe stafi i tij.
“Masi më kanë ra, ma kanë çarë fytyrën, pastaj ka ardh Noizy më ka ra tri-katër herë. Ai, personalisht ka ardh në fund dhe më ka ra nja tre katër grushte, krejt në fund ka ardh masi më kanë rrah me boksa dhe me shipka”, u shpreh Iseni.