Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur pasi përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh të dhunës në familje. Konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Prizren, por këtë herë viktimë është një burrë.
Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar bashkëshorten për dhunën që dyshohet se ka ushtruar ndaj tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, gruaja e tij dyshohet se e ka rrahur pas disa mosmarrëveshjeve, duke i shkaktuar lëndime trupore – për çka mori trajtim mjekësor në spital.
Gazeta ka mësuar se e dyshuara M.Ramadani u arrestua si rezultat i denoncimit dhe e njëjta u shoqërua në stacion policor.
E njëjta është intervistuar lidhur me rastin, ku ka dhënë versionin e saj për sherrin me bashkëshortin.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj gruas është iniciuar rasti për “Dhunë në familje” dhe është lëshuar urdhri për ndalim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.