Trump: Mendova se Kamala Harris ishte indiane, reagon Shtëpia e Bardhë: Fyese dhe e neveritshme

 

 

“Për shumë vite besoja se Kamala Harris ishte indiane, sepse ajo fliste vetëm për origjinën e saj indiane. Në një moment ajo u bë e zezë.” Këtë e tha Donald Trump në një intervistë me Shoqatën Kombëtare të Gazetarëve me Ngjyrë (National Association of Black Journalists), duke shkaktuar një reagim indinjues nga publiku.

“Unë kam qenë presidenti më i mirë për të zinjtë që nga Abraham Lincoln”, shtoi kandidati republikan në garën për Shtëpinë e Bardhë. Deklarata e tij u prit me brohoritje dhe britma, ndërsa Shtëpia e Bardhë i cilësoi fyese dhe të neveritshme.

“Komentet e Trump për identitetin racor të Harris janë fyese dhe të neveritshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me fjalët e manjatit gjatë një interviste me NABJ (shoqata më e rëndësishme e gazetarëve afrikano-amerikanë me mbi 4 mijë anëtarë), në të cilën ai vuri në dyshim origjinën “black” të rivales së tij në garën për Shtëpinë e Bardhë.

“Askush nuk ka të drejtë t’i tregojë askujt se kush është. Kjo është zv.presidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris. Ne duhet t’i japim pak respekt emrit të saj, pikë”.

Pas deklaratave të Trump, që vë në dyshim origjinën e racës së saj ka reaguar edhe Kamala Harris, e cila thotë se amerikanë meritojnë më mirë se Donald Trump.

“E njëjta shfaqje nga Trump, ne meritojmë më mirë. Amerikanët meritojnë më mirë. Lufta jonë është për të ardhmen dhe për lirinë. Këtë pasdite dëgjuam nga Trump dhe është ende e njëjta shfaqje e vjetër e ndarjes dhe mosrespektimit. Amerikanët kanë nevojë për një lider që thotë të vërtetën, që nuk përgjigjet me armiqësi dhe zemërim ndaj fakteve dhe që kupton se dallimet nuk na ndajnë”, tha Harris.

Gjatë takimit me shoqatën e gazetarëve ish-presidenti dhe kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë tha gjithashtu se ai do të konsideronte dorëheqjen nëse zgjidhej dhe shëndeti i tij përkeqësohej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d