Kontraktori i Lëvizjes Vetëvendosje, kompania “Exfis”, u tërhoq një ditë pasi u zbulua se kishte vendosur reklamën në një prej pikave të derivateve të naftës në veri, shkruan Prishtina Sot.
Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë ua kishte ndërprerë të martën veprimtarinë tri pikave të karburantit në veri të Kosovës, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ua kishte ndërprerë kontratat e qirasë dhe menjëherë kishte hapur ofertë për lëshimin e tyre me qira.
“Shpallja publike është e hapur që nga dita e sotme (datë 26.07.2024), ndërsa dorëzimi do të bëhet më datë 09.08.2024 prej orës 10:00 – 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç në zyrën rajonale të AKP-së në Prishtinë. Hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve bëhet 15 minuta pas dorëzimit, pra duke filluar prej orës 12:15. Ofertat përmes faksit ose postës elektronike nuk do të pranohen. Periudha e qiradhënies është për 2 vite me mundësi vazhdimi. Gjithashtu parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit. Ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi), dorëzohen në Zyrën Rajonale Prishtinë, ashtu siç është cekur në shpallje”, thuhet në shpalljen e AKP-së.
Por, vetëm një ditë pas kësaj shpalljeje, kontraktori i VV-së, kompania “Exfis” kishte hequr logon e kompanisë “Nis Petrol” për ta vendosur të sajën. Një ditë më pas, ajo e hoqi përsëri logon e vet. Kjo ngjalli dyshime se AKP-ja mund të ishte marrë vesh me këtë kompani që ajo pikë e derivateve t’i jepej kësaj kompanie.
Gazetaka pyetur gjatë ditës së djeshme Agjencinë Kosovare të Privatizimit se a ka qenë në dijeni për këto veprime të kompanisë “Exfis” dhe nëse janë bërë me lejen e saj, por agjencia nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Kompania Exfis ka një tjetër aset të AKP-së në shfrytëzim me qira. Bëhet fjalë për pikën e derivateve të naftës në hyrje të Prishtinës, tek rrethi, nga ana e Veternikut.