Kontrollohen tri pompa karburanti në veri, pronarëve u kërkohen licencat

 

 

Inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë zhvilluar kontrolle në tri pompa private karburanti në Zubin-Potok.

Pronarëve të këtyre u është kërkuar dokumentacioni i nevojshëm dhe licencat. Kontrollet janë zhvilluar me pjesëmarrje edhe të policisë. Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Inspektorët kanë kryer kontrolle në tri pompa private derivatesh, kanë kërkuar nga pronarët leje pune dhe dokumentacion tjetër. Kontrollet në Zubin-Potok kanë përfunduar dhe këto pompa nuk janë mbyllur”, tha Elshani.

Kontrollet do të vazhdojnë edhe në vazhdim.

Për një javë, institucionet e Kosovës ua vendosën drynin pesë pompave të karburatit në katër komunat në veri të Kosovës.

Për tri të parat, dy në Zubin-Potok dhe një në pjesën veriore të Mitrovicës, është konfirmuar se janë mbyllur për shkak të funksionimit pa licenca, ndërsa pjesa tjetër janë mbyllur të gjitha përkohësisht, për shkak të operimit të paautorizuar.

Tri nga këto pesë pika karburanti ishin pronë e kompanisë së naftës “NIS Petrol”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d