Avokatët në Kosovë dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk besojnë se autoritetet e Maqedonisë së Veriut do ta ekstradojnë në Serbi ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin.
Ramadani është arrestuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.
Ndaj të njëjtit menjëherë të nesërmen është caktuar masa e paraburgimit ekstradues prej 30 ditësh me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup.
Por, avokati Arbër Jahari deklaron për KosovaPress se Maqedonia e Veriut e ka të qartë që përndjeka që po u bëhet ish-ushtarëve të UÇK-së nga Serbia është me dosje të sajuara.
Dhe, thotë se nuk beson që gjykatat në Maqedoni do të vendosin pro ekstradimit të Ramadanit në Serbi.
Por, deklaron se edhe nëse Gjykata vendos pro ekstradimit të Ramadanit, atëher sipas Jasharit asnjë ministër i Maqedonisë së Veriut nuk do ta nënshkruajë një vendim të tillë.
Në anën tjetër institucionet e Kosovës janë duke kërkuar lirimin e tij.
Madje, Ministria e Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të Blerim Ramadanit dhe kthimin e tij në familje.
Nga ky dikaster kanë njoftuar se institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë. Por, avokati Jashari deklaron për KosovaPress se Kosova nuk mund ta kërkojë ekstradimin e Blerim Ramadanit, përderisa nuk ka ndonjë çështje penale të ngritur ndaj tij.
Kurse, nënkryetari i Degës së OVL UÇK-së, dega në Ferizaj, Luan Jahiri përmes një përgjigje me shkrim thotë se ajo që ka ndodhur më ish -ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin është shqetësuese.
Por, thotë se besojnë se Ramadani do të lirohet dhe nuk do të ekstradohet në Serbi.
Më 25 korrik në Ferizaj, u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Liri për çlirimtarin”, në mbështetje të bashkëluftëtarit nga Ferizaj, Blerim Ramadani.
Protesta ishte organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.
Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.