Konfliktet që eskalojnë në përleshje fizike e kanosje në kafeteri të ndryshme në vendin tonë nuk janë të rralla. Një rast i tillë dyshohet se ndodhi edhe mbrëmë pas mesnate në një lokal në sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Këtë herë, në rrahje janë përfshirë dy punëtorë të sigurimit të lokalit “Konak”, të cilët për motive akoma të panjohura janë kapur me njëri tjetrin.
Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit për përfshire në këtë incident janë Artan Murtezi dhe Imer Luta.
Bazuar në informacionet e para, të dyshuarit janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin, teksa në një moment i dyshuari Murtezi e ka përdorur edhe një mjet të fortë për ta goditur kolegun e tij.
Për pasojë, i dyshuari Luta ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor në spitalin e Ferizajt, teksa më pas është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua në cilësinë e të dyshuarit.
Edhe i dyshuari tjetër Murtezi ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë dhe pas përfundimit të procedurave, ndaj tij është lëshuar urdhri për ndalim policor.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Murtezi do të hetohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa ndaj Lutës është iniciuar rasti për veprën “Sulmi”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Ferizaj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.