Gjermania: Marrëveshja dhe aneksi i saj janë të detyrueshme ndërkombëtarisht për të dyja palët

 

 

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë një seance të kësaj jave të parlamentit serb, ka thënë se vendi i tij nuk e ka pranuar planin franko-gjerman.

Për këtë reagoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke ua vënë në dijeni edhe Josep Borrellit e Miroslav Lajçakut deklaratën e Vuçeviqit.

“Edhe një herë, do ta them mjaftë qartë, kjo po regjistrohet me zë por edhe po transkriptohet: Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane. Edhe një herë, ne nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman”, ishte shprehur Vuçeviq para deputetëve të parlamentit serb.

“Çfarë duhet tjetër për t’iu bindur se për Serbinë s’ka Marrëveshje Bazike? Se pjesëmarrja e tyre në dialog është false vetëm për t’iu shmangur sanksioneve eventuale? Sa drafte të tjera të planit të zbatimit na duhen përpara se ta zbulojmë të vërtetën për të gjitha Shtetet Anëtare”, shkroi Bislimi dje.

Marrëveshja e Ohrit, ligjërisht obliguese

Bashkimi Evropian, gjegjësisht shtetet anëtare të tij, kanë deklaruar vazhdimisht se dakordimi i arritur në Ohër marsin e vitit të kaluar për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është ligjërisht i zbatueshëm, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët.

Për deklarimin e fundit të kryeministrit serb, janë deklaruar shtetet e QUINT-it (ShBA, Gjermani, Francë, Itali e Britani e Madhe).

Britania e Madhe i është referuar një deklarate të ambasadorit të tyre në Serbi, Edward Ferguson, dhënë në “Euronews Serbia”.

Ferguson aty ka deklaruar se në Ohër, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq bënë një plan për normalizim, por tha se “nuk jemi as për së afërmi të kënaqur me përparimin”.

“Kemi parë pak përparime, që i përshëndesim, siç është njohja e targave të Kosovës nga Serbia. Kosova më në fund e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën që i përket Manastirit të Deçanit. Britania e Madhe ka qenë shumë e përfshirë për të bërë presion që kjo të ndodhë. Por, duhet bërë edhe shumë që të vihet deri te stabilizimi dhe këtë e duam ne”, theksoi Ferguson.

Ndërkaq Gjermania, përmes shefit të Kulturës, Shtypit dhe Komunikimit në Ambasadën e saj në Kosovë, Christian Bottcher, ka thënë se duhet të ndalojë politika “ma bëre, ta bëra” mes dy vendeve.

“Është koha e fundit për një politikë ‘hap pas hapi’ që shikon nga e ardhmja dhe jo një politikë ‘ma bëre, po ta bëj’ që vendos pengesa të reja në rrugën e të dyja palëve, duke shpërfillur vullnetin e popullit për t’iu afruar Bashkimit Evropian”, ka thënë Bottcher për Klanin.

Ai tha po ashtu se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë pranuar “Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe aneksin e zbatimit të saj në Ohër.

Prandaj, thotë ai, “marrëveshja dhe aneksi i saj janë të detyrueshme ndërkombëtarisht për të dyja palët dhe janë përfshira në kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë”.

Gjermania, sipas tij, vazhdon të presë që të dyja palët të ndërmarrin hapat e nevojshëm drejt zbatimit të marrëveshjes në fjalë.

Për planin franko-gjerman, kryeministri Albin Kurti, pati deklaruar në shkurt të vitit të kaluar se “e përmban njohjen de-facto” brenda.

“Nuk është i menduar si një propozim për marrëveshje finale. Por është një normalizim që ende nuk është normalizim i plotë, meqenëse parasheh, mund të themi, njohjen de facto. Njohjen de facto e kemi aty”, pati thënë Kurti.

Tutje, Kurti kishte thënë se Kosova e ka pranuar në parim, por sipas tij, duhej negociuar dhe më pas duhet shndërruar atë plan në marrëveshje, pasi pati thënë se “ka shumë gjëra ende të padefinuara”.

“Sidomos sa i përket garancive ndërkombëtare, mekanizmave implementues dhe sekuencimin kohor. Herën e parë kur na e kanë sjellë më datë 9 shtator, nuk ka qenë merre ose lëre. Ndërkaq më datën 20 janar, për shkak se kishin kaluar shumë kohë, për bindjen time pa nevojë, kemi mundur që të takohemi më shpesh, më herët, të bëjmë më shumë, ishte shumë afër merre ose lëre. Prandaj unë siç kam thënë edhe në shtator, e përsërita në janar, që është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, pati thënë Kurti.

Në anën tjetër, Serbia qysh në nëntor të vitit 2022 pati shprehur kundërshti për planin franko-gjerman.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d