Është arrestuar Shkëlzen Zariqi i cili ishte në kërkim nga Policia, pasi kishte urdhër arrest aktiv, raporton ekskluzivisht Gazeta Prishtina Sot.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia, e cila ka njoftuar se 44-vjeçari është dërguar menjëherë në vuajte të dënimit. Zariqi ishte dënuar me tri vjet burgim për veprën penale të detyrimit, pasi ai dhe disa persona të tjerë akuzoheshin për vendosjen e bombave tek lokali i biznesmenit nga Prishtina, Hajrullah Kryeziu.
Sipas aktakuzës, Artan Avdullahu, i përfshirë po ashtu në këtë grup, në maj 2010, kishte vënë dy granata dore dhe një bombol gazi, njëra prej tyre kishte arritur të shpërthente rreth orës 02:00 të mëngjesit, kurse tjetra ishte gjetur e pashpërthyer.
Kurse më 7 shtator të po atij viti, përsëri kishte vendosur një granatë dore dhe një bombol gazi ku që të dyja kanë shpërthyer.
Prokuroria ka pretenduar se vendosja e bombave në zyrën e të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu, ishte bërë me urdhër të Shkëlzen Zariqit dhe të tjerëve.