Dallaveret me patentë shofer në Pejë, të arrestuarit po intervistohen nga prokurorja

 

 

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka zhvilluar sot aksion që rezultoi me arrestimin e disa personave të dyshuar për dallavere me patentë shofer. Sinjali raportoi ekskluzivisht për nisjen e aksionit dhe emrat e disa prej të dyshuarve që përfunduan në pranga.

Sipas informacioneve që i ka gazeta, shtatë persona janë arrestuar dhe janë shoqëruar në Polici.

Në një prononcim për Sinjalin, prokurorja Valbona Haxhosaj nuk e ka konfirmuar numrin e të arrestuarve, por vetëm ka bërë të ditur se të dyshuarit janë duke u intervistuar.

Në mesin e tyre është edhe pronari i autoshkollës “Vosa” në Deçan, Denis Tafilaj dhe zyrtari nga zyra rajonale në Pejë, për dhënien e patentë shoferëve, Ahmet Shala.

Lajmi për operacionin policor sot është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj. Në një prononcim për Sinjalin, Kurmehaj tha se aksioni është zhvilluar vetëm në Pejë.

Personat që janë cak i Krimeve Ekonomike kanë qenë objekt hetimi nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me patentë shofer.

Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d