MPJD: Shenjat e gishtërinjve të krahasuara konfirmojnë se personi i vrarë në Serbi është Faton Hajrizi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se Faton Hajrizi është qytetari i cili është vrarë nga Policia serbe në vendin fqinj, Serbi.

Në një njoftim për media, MPJD tha se janë testuar disa shenja të gishtërinjve të cilat kanë rezultuar se janë të Faton Hajrizit.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi” – tha MPJD.

“Të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi” – shtohet tutje në njoftim. Po ashtu Ministria ka lutur opinionin publik që të gjitha lajmet nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre dhe se MPJD do ta mbajë publikun të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast. Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024. Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona që dyshohet se e kishin ndihmuar Faton Hajrizin të arratisej nga burgu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d