Temperaturat e larta të korrikut i kanë mbushur plot plazhet e Durrësit përgjatë të gjithë vijës bregdetare.
Pushues vendas e të huaj kanë nxituar të freskohen në ujërat e Adriatikut dhe të shijojnë gjithçka ofron bregdeti shqiptar. “Është hera e parë që vijmë këtu. Shkuam drejt e në Tiranë dhe pastaj erdhëm në këtë bregdet fantastik që na e këshilluan. Shumë i bukur”, shprehet në turist italian.
“Ciao. Jam Francesco dhe ndjehem shumë mirë këtu në Shqipëri. Një vend mikpritës, i nxehtë, si të gjitha vendet tani, po shumë i bukur”, thotë një tjetër pushues italian.
Pushuesit nga vendi, Kosova dhe të huaj vlerësojnë komoditetin dhe çmimet e mira që ofron Durrësi, që gjithnjë di të mikpresë vizitorët e vet në çdo stinë.
“Durrësi shumë mirë na duket. Çmimet janë jashtëzakonisht të mira. Të përballueshme. Shumë të mira. Vijmë shpesh…“, thonë pushues nga Kosova.
“Unë mendoj se janë të mira çmimet. Pak ngritje ka. Shkuam në Sarandë, po kishte shumë ndryshim. Durrësi është shumë më mirë”, tregon një turiste.
“Kam pak ditë këtu. Çmimet janë pak më lirë në Poloni, por është zonë turistike. Është OK”, shprehet një polak.
“Çmimet shumë të pranueshme. Të mira dhe plazhet e bukura dhe të pajisura mirë. Gjithccka shumë mirë. Një përshëndetje të gjithë shqiptarëve”, thotë një tjetër turist.
Ky sezon veror ka sjellë flukse të reja turistike, duke e zgjeruar ndjeshëm hartën e turistëve që pushojnë në brigjet e Adriatikut. Njësitë e shumta akomoduese pëgjatë bregdetit dhe në qytetin e Durrësit vazhdojnë të presin pushues të shumtë dhe kanë rezervime deri në tetor.