Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra, ka thënë se dëshmitari Bislim Zyrapi, për ta mbrojtur veten, ka bërë akuza ndaj Jakup Krasniqit.
Sipas saj, dëshmitë janë të rreme.
“Zoti Zyrapi, ju jeni këtu si i dyshuar, jeni këtu së bashku me avokatin tuaj dhe po ju them që dëshmia që e keni dhënë këtu është e rreme dhe dëshminë e keni dhënë për të mbrojtur lëkurën tuaj”, tha Alagendra.
Përpara kësaj, pa praninë e dëshmitarit, Alagendra i tha trupit gjykues se ky dëshmitar ka dhënë pretendime të reja kundër Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për herë të parë në përgjigje të pyetjeve të gjykatësve, ky dëshmitar ka pretenduar apo ka dhënë fakte të reja kundër zotit Krasniqi. Këto deklarata ose këto fakte nuk i ka dhënë asnjëherë përpara TPNJ-së, apo përpara asnjë instance tjetër”, tha Alagendra.
Avokatja Alagendra theksoi se është qëndrim i tyre se dëshmitari është ndjerë i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur ta dëgjojnë gjykatësit.
“Është qëndrim i yni të nderuar gjykatës që dëshmia e këtij dëshmitari ka zhvilluar, është ndryshuar dhe kur gjykatësit i kanë bërë pyetje, ai është ndjerë që të ndihet i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur të dëgjojnë gjykatësit. Ky është qëndrimi ynë. Unë kam detyrën, të paktën detyrën që ta lejoj atë që t’i përgjigjet pyetjeve”, tha Alagendra.