Eksperti i komunikacionit: Gjendje alarmante në komunikacion – çdo 25 minuta kemi nga një aksident në Kosovë

 

 

Eksperti i komunikacionit, Selman Kolgeci, ka komentuar gjendjen e komunikacionit në Kosovë, derisa tha se është gjendje alarmante e aksidenteve dhe shpreh ngushëllime për familjet e viktimave që humbën jetën në aksidentin ku po mbaheshin garat ilegale të veturave, raporton Prishtina Sot.

Kolgeci në një intervistë tha se garat janë të ndaluara, por për t’i bërë ato duhet të ketë pistë të licencuar që i ofron kushtet e sigurisë për të bërë garë.

“Fillimisht shpreh keqardhjen time dhe ngushëllimet e mija për familjarët e personave që kanë humbur jetën në aksidentin e trafikut që e patëm ditëve të fundit. Normalisht që garat janë të ndaluara. Për të bërë garë duhet me qenë një pistë e licencuar që i ofron kushtet e sigurisë për të bërë garë, dhe e monioruar nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Automobilizimit që është në Kosovë. Autorruga nuk është pistë e garimit, aq më pak pistë e garave ilegale, sepse shkakton rrezik siç ka ndodhur edhe për ata që kanë qenë duke e shikuar garën edhe për pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion që ka mundur me qenë prezent në atë rast”, tha ai.

Sa i përket aksidenteve, Kolgeci potencon se qëndrojmë jashtëzakonisht keq, pasi që mesatarja e të gjitha aksidenteve që ndodhin në Kosovë, i bie që më pak se 25 minuta kemi një aksident trafiku në komunikacion.

Për numrin e aksidenteve mendoj që qëndrojmë jashtëzakonisht shumë keq, them keq se p.sh kemi në më pak se 25 minuta kemi një aksident. Mesatarja e të gjitha aksidenteve që ndodhin në Kosovë, i bie që më pak se 25 minuta kemi një aksident trafiku në komunikacion”, potencoi Kolgeci.

Sipas ekspertit të komunikacionit, faktori kryesor i aksidenteve është njeriu dhe përdorimi i tepërt i telefonit. Ai shtoi se duhet të rritet niveli i kulturës së ngasjes.

“Faktori kryesor i ndodhjes së aksidenteve është njeriu, prandaj niveli i kulturës së ngasjes duhet të rritet. Kjo bëhet përmes mësimeve që bëjnë nëpër autoshkolla edhe ato mësime duhet t’i praktikojnë në terren. Faktor tjetër i aksidenteve është mospërshtatja e shpejtësisë në kushtet edhe rrethanat e rrugës, është përdorimi shumë i madh i telefonit, ngasjet nën ndikimin e alkoolit, barnave, narkotikëve edhe elementeve të tjera që e zvogëlojnë aftësinë e ngasjes”, deklaroi ai.

Kolgeci thotë për institucionet se duhet të bëjnë më shumë punë sepse gjendja është alarmante me numrin e aksidenteve në Kosovë.

“Faktikisht institucionet mendoj që janë duke bërë pak në këtë drejtim, duhet të bëjnë shumë më shumë sepse gjendja është alarmante me numrin e aksidenteve në Kosovë, krahasuar me numrin e automjeteve, kilometrave e rrugëve dhe numrin e banorëve“, përfundoi Kolgeci./Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d