Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje rreth takimit të djeshëm me ambasadorët e shteteve të Quint-it.
Në një konferencë për media ai tha se me ambasadorët ka pasur një takim përmbajtësor e konsultativ dhe njoftoi se njëra ndër temat ishte edhe nevoja e hapjes së Urës së Ibrit.
“Natyrisht që askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë apo e drejtë, por dëshirojmë që të zbatohet ligji e të respektohet lira e lëvizjes por në të njëjtën kohë të kemi paqe e siguri për të gjithë. Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër që në synojmë nuk është kundër askujt, por është për qytetarët dhe për mallrat e kapitalin, ajo i ndihmon njerëzit në të dyja anët e Ibrit pa dallim etnie. Janë edhe tre ura të tjera mbi lumin Ibër dhe të ngelet vetëm kjo urë e mbyllur për vetura, nuk mendojmë që është në rregull”, u shpreh shefi i qeverisë.
“Ura është aty për të kaluar një lum, liqe apo një greminë, e tash nuk mund të kemi ura që janë bypass për një urë. Besoj që edhe kjo urë duhet të jetë e hapur, madje para shumë vjetësh në njërën prej marrëveshjeve të Brukselit, hapja e urës në mënyrë të plotë edhe për qytetarët edhe për automjete është quajtur simbol i normalizimit. Kundër askujt, por për të gjithë”, tha kryeministri.