Prokurorja e Shtetit ka përpiluar kërkesën për paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerëve që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është përpiluar nga Prokurorja e Shtetit ndaj tre personave të dyshuar, të përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë dhe brenda afatit ligjor do të delegohet në gjykatë”, tha Ulaj.
Murseli dhe dy të tjerët do të dalin nesër para gjykatës.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Nesër në 09:30 është caktuara seanca dëgjimore”, tha Gashi.
Liridona Ademaj Murseli u vra të mërkurën mbrëma gjatë një grabitjeje të armatosur në Sinidoll të Prishtinës, ndërsa bashkëshorti i saj me fëmijët kanë arritur që të ikin nga vetura.
Ajo është varrosur dje në Cërmjan të Gjakovës.
Bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli dhe personi me inicialet G.P., që dyshohet të jetë vrasësi i Liridona Ademajt u arrestuan mbrëmë nga policia, pak orë pas varrimit të të ndjerës.
Policia mbrëmë bastisi dy lokacione në Gjakovë, ku u bë e ditur se është konfiskuar arma me të cilën dyshohet se u krye krimi.
Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të Murselit dhe dorasit, policia arrestoi edhe personin e tretë me iniciale K.K., që dyshohet të jetë i përfshirë në ngjarjen tragjike.