28 euro respektivisht 29 euro do të kenë rritje në paga mësimdhënësit nga janari i vitit të ardhshëm. Kjo, pasi që vlera e koeficientit nga 105 euro sa është këtë vit, më 2024 do të jetë 110 euro. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se kjo është një ngritje irrituese.
“Nga analizat e para që i kemi bërë duke marrë për bazë vendimin e Qeverisë për ngritje nga 105 në 110 euro të koeficientit kemi ardhë në përfundim se ngritja bie fjala nga paga e dhjetorit me atë të janarit ngritja për arsimin parafillor, fillor, të mesëm të ulët do të jetë 28 euro, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë ngritja do të jetë 29 euro. Pra, një ngritje ironike që krijon dhe ka krijuar po them një revoltë një pakënaqësi shtesë”, ka treguar Jsharaj
Sipas tij, pakënaqësitë nga punëtorët e arsimit janë të mëdha dhe do të shtohen edhe më shumë.
“Pakënaqësitë janë dhe do të shtohen ngase në vend që të mobilizohen, në vend që të inkurajohen mësimdhënësit për punë më të madhe ata me këtë ligj janë të zhgënjyer dhe ky zhgënjim nuk është i mirë dhe nuk sjellë rezultatet e pritura në arsim”, ka shtuar ai.
Ai thotë se do të kërkojnë përsëri nga deputetët që të ngrisin zërin rreth kësaj çështjeje, ani pse deklaron se nuk pret ndonjë rezultat.
“Ne jemi angazhuar dhe do të angazhohemi që përmes letrave drejtuar deputetëve të pozitës dhe opozitës që ata ta ngrisin zërin në mos po ndodhë ndonjë ndryshim eventual gjë të cilën nuk e presim shumë ngase u pa edhe rezoluta, u panë edhe debatet që nuk dhanë fryt, sepse Qeveria këmbëngul në vendimet e veta dhe do të kemi edhe një pakënaqësi në sektorin e arsimit”, është shprehur ndër të tjera Jasharaj për Front Online.
Nuk din se çfarë do të ndodhë nga janari e tutje lidhur me atë se a mund të ketë greva e protesta, pasi që pakënaqësitë rreth këaj vlere po del të jenë të mëdha.
“Se çfarë do të bëjmë nga janari e tutje nuk mund ta them tani. Nuk kemi kërkesa momentale nga terreni për ndonjë veprim sindikal dhe kështu që ne do të bëjmë të gjithë angazhimet e mundshme që përmes dialogut, që përmes shkresave mos po ndikojmë që Qeveria, gjegjësisht parlamenti ta ndryshojë vendimin për vlerën e ngritjes së koeficientit vetëm për 5 euro”, ka thënë i pari i SBASHK-ut.