Shifrat e institucioneve në Shqipëri tregojnë rritje të numrit të turistëve në këtë vend.
Të fundit, të publikuara nga Instituti i Statistikave – Instat, janë për tremujorin e parë të vitit 2024 dhe flasin për 1 milion e 700 mijë turistë, ose 59% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pushues dhe ekspertë të turizmit e ekonomisë thonë se turizmi në vend është shtrenjtuar dhe arsyet, sipas tyre, janë nga më të ndryshmet.
Më shtrenjtë njësitë akomoduese, por edhe ushqimet
Mehdi Olluri, nga Lipjani i Kosovës, zgjodhi që edhe sivjet pushimet t’i bëjë në Shëngjin – pjesa veriperëndimore e Shqipërisë.
Ai thotë se krahasuar me një vit më parë, çmimet janë më të larta.
“Ka rritje të [çmimeve të] ushqimeve në dyqane, në restorante, e gjithashtu edhe banesa është më e shtrenjtë se vjet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat e operatorëve turistikë tregojnë se të gjitha produktet turistike janë shtrenjtuar. Kështu, një çadër me dy shezlonë nuk gjenden më me afërsisht 5 euro, por mbi 7 euro, e në disa zona në jug të Shqipërisë arrijnë deri në 50 euro.
Edhe apartamentet që vjet mund të gjendeshin edhe me 25 euro, sivjet variojnë nga 30 deri në 100 euro për një natë, ndërsa dhomat në hotele nga 100 deri në 500 euro.
Çmimet, sigurisht, ndryshojnë nga zona dhe periudha – në korrik dhe në gusht janë më të shtrenjta.
Mirilda Tili, gazetare e ekonomisë në Shqipëri, thotë se turizmi sivjet është më i shtrenjtë se një vit më parë, apo në krejt 5-vjeçarin e fundit.
Arsyet, thotë ajo, lidhen me investimet në turizëm dhe tregun e punës.
“Është fakt që në vitin 2024 ka struktura të shtuara akomoduese, sepse edhe lejet e ndërtimit kanë qenë për 30-40 për qind më shumë se një vit më parë. Janë shtuar hotelet që tentojnë të sjellin brende, sepse janë të përjashtuara nga taksat dhe TVSH-në e kanë 5 për qind”.
“Kjo do të thotë se ka kërkesa për staf të shtuar, por se burimet janë të pakta, ka mungesë punëtorësh. Kështu që, ata pak punëtorë që gjenden, do të paguhen me paga të larta dhe, detyrimisht, kjo është kosto që faturohet te turisti”, thotë Tili për Radion Evropa e Lirë.
Si një problem të madh, ajo përmend edhe zhvlerësimin e euros.
“Rënia e euros ka sjellë rritje të çdo produkti turistik. Një vit më parë, euroja këmbehej me 109 lekë, ndërsa aktualisht këmbehet me 100 lekë ose më pak”, thotë gazetarja e ekonomisë.
Mbiçmimin e lekut e sheh si arsye kryesore të rritjes së çmimeve në turizëm edhe ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba.
“Paketat turistike janë rritur për 10-15%. Arsyeja kryesore është luhatja e madhe e euros”, sipas saj.
“Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se kjo nuk ndodh për shkak të sezonit turistik dhe kërkesës së lartë, por për arsye të brendshme të qarkullimit joformal të parasë në ekonomi”, thotë Xhemani Baba.
Sipas saj, një prej arsyeve që ka rritur numrin e turistëve në Shqipëri është edhe shtimi i fluturimeve ‘low cost’, apo me çmime më të volitshme, ashtu si edhe i fluturimeve direkte nga disa qytete të Evropës.
“Tjetër arsye e rëndësishme është edhe marketingu ndërkombëtar që i është bërë Shqipërisë si nga burime zyrtare, nga vetë kryeministri dhe agjenci të turizmit, por edhe nga ata që njihen si influencues të opinionit”, thotë Xhemani Baba.
Ajo shton se rritja e numrit të turistëve është një trend në të gjithë botën dhe, në këtë aspekt, turizmi në Ballkan është ndër më të kërkuarit.
“Rreth 750 milionë njerëz në botë udhëtojnë çdo vit në vendet e Mesdheut dhe Shqipëria është pjesë e kësaj pakete”, thotë Xhemani Baba.
Ajo, po ashtu, vë re se ka shtim të turistëve individualë, që, siç thotë, udhëtojnë për aventura të ndryshme, e jo për turizëm plazhi, dielli a rëre.
“… sepse, aktualisht, në plazhe është njësoj si çdo vit tjetër. Jemi në fund të qershorit dhe plazhet gjatë javës janë thuajse boshe, por qytetet turistike janë plot – Tirana, Durrësi, Berati, Kruja, Shkodra, Gjirokastra, Saranda, apo edhe qytetet e vogla si: Gramshi, Belshi, Puka, Dibra, Përmeti, që ofrojnë turizëm të aventurës dhe trashëgimisë kulturore”, thotë Xhemani Baba.
Më shumë turistë, por shpenzojnë më pak
Ajo dhe ekspertë të tjerë ngrenë shqetësimin, po ashtu, për mosdeklarimin e të ardhurave nga turizmi. Sipas saj, autoritetet e vendit nuk duhet të përqendrohen te numrat, por te të ardhurat.
“Nëse kemi të ardhura prej 4.2 milionë eurosh në vitin 2023 me 10 milionë turistë… i bie që një turist vjen për 4-5 ditë dhe shpenzon rreth 350 euro… Ose diçka nuk shkon me shifrat e turistëve, ose evazioni është shumë i lartë”, thotë ajo.
Sipas Fjerolt Ozunit, ekspert dhe operator turistik në Shqipëri, sektori i turizmit nuk është ende i qëndrueshëm.
“Ne duhet të mësojmë se si ta bëjmë turistin e huaj të shpenzojë këtu te ne. Duhet të mësojmë t’i shesim paketat në mënyrë të tillë që ata t’i harxhojnë paratë. Ka nga ato grupe që vijnë dhe thonë që nuk kemi se si t’i shpenzojmë… kishim parashikuar të shpenzonim më shumë”, thotë Ozuni për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga turizmi në periudhën janar-mars 2024 arritën në 778 milionë euro nga 624 milionë sa ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por, sipas tyre, një turist shpenzoi më pak se një vit më parë. Sivjet, një turist i huaj shpenzoi mesatarisht 513 euro, ndërsa në janar-mars të 2023-ës kjo shifër ishte 582 euro.
Më 18 qershor, Administrata Tatimore e Shqipërisë u bëri thirrje bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, ta deklarojnë numrin real të punonjësve si dhe pagat reale të tyre. Në letrën sensibilizuese u tha se do të nisin kontrolle fizike dhe se do të ketë edhe masa ndëshkuese.
Vitin e kaluar, media ndërkombëtare e renditën Shqipërinë si një ndër destinacionet më interesante të atij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.
“Turizmi masiv i ka sjellë vendit shumë të ardhura, por duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore”, tha atëkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Për të përballuar fluksin e turistëve gjatë këtij sezoni, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, firmosi një urdhër për anulimin e lejeve të pushimit për punonjësit që kanë detyrë sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Sipas këtij urdhri, lejet anulohen nga data 20 qershor deri më 15 shtator. /