I caktohet masa e paraburgimit Shkumbin Sekiraqës, të dyshuarit për tentim-vrasjen në Prishtinë

Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës i cili ndodhej në arrati pas plagosjes me armë ndaj një personi në fillim të muajit mars, ka vendosur dje t’i dorëzohet shtetit. Ndaj tij sot është caktuar edhe masa e paraburgimit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.S për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me personin NN ka kryer veprën penale Vrasja në tentativë, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.S dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, vazhdon njoftimi.

Sekiraqa ishte dorëzuar ditën e djeshme dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë.

Incidenti kishte ndodhur më 4 mars në Prishtinë, ku kishte mbetur i plagosur një person, teksa dyshohej se i parapriu një konflikt verbal mes të dyshuarve dhe viktimës.

Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se personi që u plagos me armë zjarri ishte Pajtim Gashi, i cili dyshohet se fillimisht ishte sulmuar në kokë e pastaj është qëlluar me armë në këmbë.

Gashi – sipas sinjalizuesve të Gazetës Sinjali ishte anëtar i familjes së njohur si “Capat”.

Gjithashtu Gazeta Sinjali kishte mësuar ekskluzivisht se njëri nga personat e përfshirë në plagosjen e Pajtim Gashit është Shkumbim Sekiraqa rreth 20 vjeçar, djali i Salih Sekiraqës.

Ky i fundit është një nga emrat e njohur për organet e rendit, për shkak të të kaluarës së tij kriminale. Herën e fundit ishte arrestuar nëntorin e vitit të kaluar për armëmbajtje pa leje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d