Gazeta raportoi ekskluzivisht sot se Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës i cili ndodhej në arrati pas plagosjes me armë ndaj një personi në fillim të muajit mars, ka vendosur t’i dorëzohet shtetit.
Ai është dorëzuar ditën e djeshme dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë. Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojme se Prokurori i Shtetit ka leshuar aktvendim mbi ndalimin e te dyshuarit Sh.S., per shkak te vepres penale “Vrasja ne tentative”, deklaroi ajo për Sinjalin.
Incidenti kishte ndodhur më 4 mars në Prishtinë, ku kishte mbetur i plagosur një person, teksa dyshohej se i parapriu një konflikt verbal mes të dyshuarve dhe viktimës.
Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht se personi që u plagos me armë zjarri ishte Pajtim Gashi, i cili dyshohet se fillimisht ishte sulmuar në kokë e pastaj është qëlluar me armë në këmbë.
Gashi – sipas sinjalizuesve të Sinjalit ishte anëtar i familjes së njohur si “Capat”.