Nënpresidentja Kamala Harris do marrë pjesë në konferencën në Zvicër për paqen për Ukrainën

 

 

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan do të marrin pjesë në konferencën për paqen për Ukrainën që mbahet në Zvicër më 15 qershor, njoftoi në një deklaratë të hënën Shtëpia e Bardhë.

Nënpresidentja Harris do të shkojë në Zvicër për të nënvizuar angazhimin e Uashingtonit në mbështetje të integritetit territorial dhe parimeve të Kartës së OKB-së, tha Kirsten Allen, drejtore për komunikimin e nënpresidentes.

Nënpresidentja Harris do të riafirmojë mbështetjen amerikane për popullin e Ukrainës, që po mbrohet nga agresioni rus, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Kremlini ka thënë vazhdimisht se bisedimet për arritjen e paqes në Ukrainë duhet të përfshijnë edhe Rusinë, e cila nuk është ftuar për të marrë pjesë në këtë takim të nivelit të lartë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi të hënën Filipinet për mbështetjen për Ukrainën përballë agresionit rus.

Filipinet njoftuan se do të marrin pjesë në konferencën e paqes të organizuar nga Zvicra.

“I jam mirënjohës Filipineve për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, për pozicionin e qartë ndaj agresionit të Rusisë kundër vendit tonë dhe për mbështetjen e rezolutave të rëndësishme të OKB-së”, tha presidenti Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas ishte në Singapor të dielën dhe tha në një konferencë sigurie se Kina po ndihmonte përpjekjet ruse për të prishur konferencën e paqes të planifikuar në datat 15-16 qershor, duke u bërë trysni udhëheqësve të vendeve të tjera që të mos merrnin pjesë.

“Këto përpjekje për të prishur takimin e nivelit të lartë janë sistematike dhe janë në shkallë të paprecedentë, gjë që konfirmon edhe një herë se po bëjmë gjënë e duhur”, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Zoti Kuleba shtoi se përpjekjet e Rusisë për të sabotuar takimin u përqendruan në vendet në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning i hodhi poshtë akuzat të hënën, duke thënë se Kina “beson se duhet të mbështeten të gjitha përpjekjet që kontribuojnë për zgjidhjen paqësore të krizës”.

Kina ka bërë thirrje për një konferencë paqeje me pjesëmarrje të barabartë të të gjitha palëve, përfshirë Rusinë. Rusia gjithashtu e ka quajtur një fiasko planin e paqes së zotit Zelensky, që kërkon tërheqjen e forcave ruse nga territoret ukrainase.

Pavarësisht neutralitetit që ka deklaruar, tregtia e Kinës me Rusinë është rritur, duke i mundësuar Moskës të përballojë sanksionet ekonomike perëndimore.

Agjencitë e zbulimit ukrainase, amerikane dhe të vendeve të tjera thonë gjithashtu se ka prova se pjesë të prodhuara në Kinë po përdoren në armatimet ruse, megjithëse Kina nuk po e armatos drejtpërsëdrejti vendin fqinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d