Veç Vetëvendosje në Kuvend: Votimi i buxhetit që “favorizoi komunat që udhëhiqen nga pushteti”

 

 

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për buxhetin për vitin 2024, në një seancë të jashtëzakonshme të enjten në mbrëmje. Sallën e lëshoi opozita, teksa nga 64 deputetë të pranishëm në sallë, 63 votuan për, ndërsa një abstenoi. Ky projektligj u kritikua shumë nga deputetët opozitarë, që e akuzuan Qeverinë se favorizoi komunat e udhëhequra nga Lëviza Vetëvendosje.

Projektligji ishte aprovuar nga Qeveria më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore e kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove, nga 3.2 miliardë sa ishte për këtë vit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi deputetët për mbështetjen e projektligjit përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’ menjëherë pas votimit, duke thënë se “po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe rrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”.

Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.

Ndryshe, Qeveria edhe këtë vit ka vazhduar ta favorizojë komunat e udhëhequra nga LVV sa i përket investimeve të reja kapitalit të nivelit qendror.

Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2024, duke i krahasuar ato me vitin paraprak, pas aprovimit të Projektbuxhetit 2024 nga Qeveria e më pas në lexim të parë edhe nga Kuvendi. Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit, GAP-i konsideron se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023. Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”, thuhet në raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d