Edhe gjatë kësaj jave moti do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike.
Dita e sotme po mbanë me diell dhe vranësira, ku gjatë pasditës pritet të ketë rrebeshe të izoluara shiu dhe ndonjë shkarkesë elektrike, kryesisht në jug të vendit.
Nga dita e martë e deri të premten, priten vranësira më të shpeshta, të cilat kryesisht orëve të pasditës dhe mbrëmjes, pritet kohë pas kohe të sjellin rrebeshe lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh, me mundësi për breshër të vogël.
Sa i përket fundjavës parashikohet të ketë intervale më të gjata me diell dhe fuqizim të masave të ngrohta ajrore, megjithatë nuk pritet stabilitet i plotë në të gjithë vendin, ngase lokalisht mund të paraqiten reshjet e izoluara.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme por më dominues nga jugperëndimi, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-55 km/h.
Në aspektin termik, temperaturat do të mbesin pak a shumë të ngjashme me ato të ditëve të kaluara, me përjashtim në fundjavë ku pritet ngritje më e ndjeshme. Minimalet do të lëvizin prej 8 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 20 deri në 28°C.