Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj Hasan Paçarizit, i ndaluar nën dyshimin për kërcënimin e një zyrtari policor në Prizren.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj, ai tha se Gjykata me rastin konkret gjeti se caktimi i paraburgimit është i pabazuar dhe është masë e rëndë.
Tutje ai bëri të ditur edhe detaje se si ishte kërcënuar polici nga i dyshuari pasi ishte ndaluar nga patrulla e policisë.
“Me datën 11 maj 2024, në orët e mesnatës, i pandehuri H.P., derisa po e drejtonte automjetin për shkak se i njëjti pengonte trafikun duke përdorur telefonin, është ndalur nga patrulla e policisë dhe i është shqiptuar gjoba, i dyshuari i acaruar, pasi që i drejtohet policit me fjalët “boni të fala SH.”, më pas i njëjti e ka telefonuar disa herë të dëmtuarin, zyrtarin policor, Sh.H., dhe i njëjti pasi ka hapur telefonin, i dyshuari i drejtohet me fjalët kanosëse serioze “o Sh., o a të kam borxh najsen, ta dinë që prej sodit ku kam me të zanë pa ti qi robt me të vra s’kam me lanë, bre lahperin e nanës ta qifsha”, ndërsa kur i dëmtuari i drejtohet me fjalët “a je i sigurtë për këto fjalë që i thua?”, i dyshuari ka vazhduar me fjalët “o qeshtu po të them unë” dhe e ka ndërprerë telefonin, me çka me forcë apo kanosje serioze, seriozisht e kanos të dëmtuarin, zyrtarin policor, në lidhje me punën apo pozitën se do ta privoj nga jeta, me çka te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth për jetën e tij“, thuhet në përgjigjen e Lekajt.
I pandehuri pa lejen e Gjykatës nuk guxon të largohet nga shtëpia e tij, dhe në rast të shkeljes së masës së arrestit shtëpiak nga i pandehuri ndaj të njëjtit do të caktohet paraburgimit.