Konfirmohet: Kosova nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së

 

 

Kosova, tash për tash, nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 maj në Strasburg, konfirmojnë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë.

Pritjet ishin që në atë takim të votohej për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Sipas burimeve diplomatike të disa vendeve të Këshillit të Evropës, janë disa shtete, të cilat preferojnë që Kosova të mos jetë fare në agjendë, sesa të marrë votë negative.

Paraprakisht, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës.

Por, ndërkohë, shtete si Franca dhe Gjermania kërkuan kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, duke thënë se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e jo me Këshillin e Evropës.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se “ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës”.

Që Kosova të bëhet anëtare e organizatës më të madhe në kontinent për të drejtat e njeriut, pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare.

REL-i po përpiqet të marrë informacione direkt nga Këshilli i Evropës në lidhje me këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d