Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, Riza Murati është suspenduar nga puna pas dyshimeve për “Dhunë në familje”, përkatësisht ndaj gruas së tij.
Policia e Kosovës ka vendosur ta suspendojë nga puna kapitenin policor pas rekomandimit që ka marr nga Inspektorati Policor i Kosovës me 19 prill.
“Kur një i punësuar në PK, dyshohet të ketë kryer vepër penale, rasti trajtohet nga një institucion jashtë PK-së. Pastaj çdo gjë që lidhet me një rast konkret që trajtohet nga IPK edhe njoftimet lidhur me rastin lëshohen nga IPK. Po ashtu, është procedurë që nuk ndryshon, që çdo rekomandim i IPK, zbatohet nga PK-ja, njëjtë është vepruar edhe për rastin për te cilin interesoheni”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”. Ai po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij ndaj të cilës tashme ekziston një urdhër mbrojtje të lëshuar nga Gjykata.
“Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni policor respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.
Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje””, thuhet në njoftimin e IPK’së.