Qendra e Paraburgimit në Scheveningen të Hagës ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka ndaluar gjatë ditës së diel telefonatat dhe komunikimet përmes video-lidhjes (platformës zoom) mes të paraburgosurve dhe familjarëve.
Klan Kosova ka mësuar nga disa familjarë që kanë pasur të planifikuar kontaktin përmes video-lidhjes, se kjo nuk është realizuar sipas planit pa u dhënë asnjë arsye paraprakisht, apo njoftim i mëvonshëm për mos-lejimin e kontaktimit.
Ndërkaq veç video-lidhjes e telefonatave, janë anuluar edhe vizitat siç ka konfirmuar vëllai i ish presidentit Hashim Thaçi, Blerimi.
“Sot, deri sa ishim nisur për të shkuar në Hagë dhe i kishim bërë të gjitha rezervimet e nevojshme atje, pasi që nesër kishim vizitë të konfirmuar te vëllai ynë, na ka ardhur një njoftim që na është anuluar vizita, pa na e dhënë asnjë arsye, asnjë sqarim. I njëjti njoftim u kishte shkuar edhe vizitorëve të tjerë. Për ne si familje, kjo sjellje është vërtet e papranueshme. Jo vetëm që po i mbajnë të paraburgosur jashtë çdo praktike juridike, duke ua shkelur edhe të drejtat njerëzore, por tash po na penalizojnë edhe neve, familjarëve të tyre, duke mos na lejuar as që t’i vizitojmë e takojmë familjarët tonë. Përpos që po i mbajnë padrejtësisht në burg që tri vjet, tash po mundohen t’i izolojnë edhe më shumë, duke mos iu lejuar as vizitorë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi’’, ka thënë Blerim Thaçi.
Kufizime të tilla kishte pasur vetëm gjatë vitit të parë të qëndrimit në paraburgim për krerët e UÇK-së, si pjesë e masave të marra gjatë kohës së pandemisë.