Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës e ka liruar nga detyra Nagip Krasniqin, kryshefin e kësaj ndërmarrjeje, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Lajmin e ka konfirmuar KEK përmes një njoftimi në faqen e tyre në Facebook, ku po ashtu kanë treguar se konkursi për pozitën e njëjtë do të hapet ditëve në vijim.
Krasniqi ishte arrestuar vitin e kaluar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Njoftimi i plotë i KEK:
Bordi liron nga detyra z. Nagip Krasniqi, konkursi për pozitën e Kryeshefi Ekzekutiv në ditët ne vijim
Bordi i Drejtorëve (BD) të KEK sh.a. duke qenë i përkushtuar per qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që rrjedhin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, si dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike, në mbledhjen e mbajtur dje me datë: 23.04.2024 ka marrë dy vendime të rëndësishme të cilat kontribuojnë në menaxhimin korporatës.
Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. ka marrë vendim për të liruar nga detyra tashmë ish Kryeshefin Ekzekutiv, z. Nagip Krasniqi.
Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. po ashtu ka vendosur që në ditët në vijim të inicohen e procedurat për shpalljen publike (konkursin) për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të ri të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Gjithë t’ mirat,
Departamenti për Marrëdhënie
me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS