Zyrtari i caktuar nga KQZ për komunën e Zubin Potokut, Agim Kastrati, ka deklaruar se procesi i votimit pro ose kundër kryetari të kësaj komune, Izmir Zeqiri ka filluar me kohë dhe deri tani nuk ka ndonjë problem të theksuar.
Ai derisa ka treguar sa qendra të votimit janë në këtë komunë, ka shtuar se sa u përket sigurisë nuk ka asnjë problem.
“Mund t’iu informojë se në orën 07:00 janë hapur të gjitha qendrat e votimit që tanimë veç janë të reduktuara, fuzionuara. Komuna e Zubin Potokut do të kishte 14 qendra të votimit me 15 vendvotime duke marrë parasysh se e kemi edhe vendvotimin me kusht, pra sipas ligjit kemi vetëm një vendvotim me kusht. Kemi pesë qendra të votimit me 11 vendvotime. Të gjitha qendra e votimit në këtë komune tani janë të hapura dhe janë të gatshme t’i presin votuesit e pare”, tha Kastrati.
Kastrati tha se në këtë proces është angazhuar edhe policia.
Ndërsa ka theksuar se përveç disa problemeve teknike, nuk ka probleme tjera të theksuara.
“Është angazhuar policia, materiali ka arritur në kohën e duhur. Përveç disa problemeve të vogla teknike nuk kemi pas diçka tjetër…Ne jemi të gatshëm në çfarëdo mase të vinë të votojnë…Reduktimi i qendrave të votimit ka të bëjë më çështje politike, shkollat që kanë qenë dashtë të jenë qendër e votimit kanë pasur pengesa, ne e kemi pas planin B dhe kemi filluar të punojmë sipas vendimeve të KQZ-së”, shtoi Kastrati.
Ai ka thënë se ka siguri për të vazhduar ky proces votimi.
“Personalisht ndihem shumë i sigurtë, nuk kam asnjë problem rreth çështjes së sigurisë, posaçërisht pasi këtu jemi në objektin e komunës ku prezent janë edhe policia, por edhe në qendrat tjera nuk ka ndonjë problem eventual”, ka bërë të ditur Kastrati.
Mes tjerash, ai ka thënë se deri në këto momente asnjë qytetarë nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e votës në këtë komunë.
“Nuk kemi informacione deri tash që e ka shfrytëzuar dikush të drejtën e votës. Anëtarët e këshillave të votimit e kanë të obliguar të votojnë, janë të caktuar në vendvotimet e tyre, gjatë ditës do të votojë në atë qendër ku është i caktuar”, përfundoi Kastrati.