Sulmi i kufizuar i Izraelit ndaj Iranit duket të jetë menduar për shtensionimin e konfliktit

 

 

Izraeli ishte zotuar se Irani do të paguante për sulmin e paprecedentë me dronë dhe me raketa ndaj tij, më 13 prill. Por, përgjigja e dyshuar ushtarake e Izraelit, në orët e hershme të 19 prillit, u duk se ishte e kufizuar për nga pesha dhe shtrirja, dhe se kishte për qëllim uljen e tensioneve me Iranin.

Teherani tha se ka rrëzuar tre dronë jashtë qytetit qendror të Isfahanit, ku ndodhen objekte të rëndësishme ushtarake dhe bërthamore. Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se Izraeli përdori raketa në kuadër të sulmit.

Ekspertët thonë se përdorimi i dronëve të vegjël, të cilët nuk mund të udhëtojnë në distanca të gjata, sugjeron se sulmi u krye nga brendësia e territorit iranian.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Isfahan. Por, ekspertët thonë se përgjigja e supozuar izraelite i ka dërguar Teheranit një mesazh të qartë.

Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, në Izrael, ka thënë se përdorimi i dronëve nga Izraeli, nëse konfirmohet, sugjeron se qëllimi i tij ka qenë “ekspozimi i brishtësisë së forcave iraniane të sigurisë” në territorin e tyre.

Zimmt ka thënë se sulmi, megjithatë, ka bartur rreziqet e veta, por se nga të gjitha opsionet e mundshme për Izraelin, ai mbase ka qenë më i parrezikshmi.

“Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë, dhe unë, sigurisht, shpresoj se nuk do ta marrë”, ka thënë ai. “Në këtë fazë, mohimi është vendimtar për të ulur rreziqet, sepse… ai do ta bënte më të vështirë, por jo të pamundur, reagimin e iranianëve”.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar një zyrtar të paidentifikuar iranian të ketë thënë se Teherani “nuk e ka ndërmend të kundërpërgjigjet menjëherë”.

Izraeli është akuzuar për sulme të mëparshme ndaj objekteve ushtarake në Isfahan, nëpërmjet dronëve të vegjël. Në janarin e vitit 2023 ishte goditur një fabrikë ushtarake. Tre muaj më vonë, Irani njoftoi për pengimin e një sulmi me dronë ndaj një kompleksi të Ministrisë së Mbrojtjes, në qytet.

Farzin Nadimi, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Uashingtonit, ka thënë se nëse Izraeli ka gisht prapa sulmit në Isfahan, ai e ka kryer atë në një mënyrë që “ka bartur rrezikun më të vogël për një hakmarrje iraniane”.

Sulmi i Iranit më 13 prill ishte përgjigje ndaj sulmit të dyshuar izraelit ndaj Ambasadës iraniane në Damask, më 1 prill, i cili vrau shtatë komandantë iranianë, përfshirë dy gjeneralë.

Teherani ka thënë se sulmi i tij ka vënë në pah një “ekuacion të ri”, dhe se Irani nuk do të heshtë karshi sulmeve izraelite ndaj interesave iraniane jashtë vendit.

Por, në ditën e njëjtë kur ndodhi sulmi në Isfahan, Izraeli u akuzua për sulme ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore në Siri, e cila është aleate e rëndësishme e Teheranit dhe ku mban prani Garda Revolucionare Islamike e Iranit.

Zimmt ka thënë se Izraeli ka dashur të dërgojë mesazhin se “fillimisht, ne u kundërpërgjigjëm, dhe, e dyta, ne sulmuam në Siri e jo vetëm në Iran, që do të thotë se ne nuk jemi gati ta pranojmë këtë të ashtuquajtur ‘ekuacion të ri’, për të cilin iranianët po përpiqen të na mbajnë përgjegjës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d