I dyshuari që po kërkohej për incidentin me të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në qytetin e Gjakovës, tashmë është ndaluar. Personi i arrestuar, Endrit Berisha, djali i ish policit, Fadil Berisha, po dyshohet se është përfshirë në konflikt ku është gjuajtur me armë me një grup tjetër.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Pas seancës dëgjimore të mbajtur, Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës, Lekë Muqaj, i cili tha se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, teksa të dyshuarit e tjerë ndodhen akoma në arrati.
Ndryshe, rasti ndodhi mbrëmjen e 14 marsit, ku sipas Policisë, “pas një mosmarrëveshje në mes të dy grupeve, të njëjtit janë gjuajtur me armë ndërmjet vete. Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është identifikuar një i dyshuar: E. B., i lindur në vitin 1995 mashkull kosovar, mbi dyshimin se i njëjti ishte i përfshirë në këtë incident.”
Berisha është paraqitur në Polici pas një dite dhe po ashtu ka dorëzuar një armë zjarri e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.