Gjermania do ta mbështesë Kosovën me 90 milionë euro për dy vitet e ardhshme, nga të cilat 20 milionë do të jenë grante.
Kështu ka bërë të ditur ambasadori gjerman Jorn Rohde, në një postim në “X” .
“Negociatat e suksesshme të qeverisë mes Kosovës dhe Gjermanisë u përfunduan dje, rezultojnë në një mbështetje shtesë prej 90 milionë eurove për Kosovën për dy vitet e ardhshme, nga të cilat 20 milionë euro janë grante. Kjo nënvizon përkushtimin tonë të fortë për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rohde.
Successful 🇽🇰-🇩🇪 Government Negotiations were concluded yesterday, resulting in 90 mil EUR additional support to 🇽🇰 for the two coming years of which 20 mil EUR are grants.
This underlines our firm commitment to support 🇽🇰 on its path towards the 🇪🇺
👇🏽 https://t.co/yS5NpuW8Dr— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS)May 1, 2024
Ndërkaq në një njoftim të ambasadës gjermane thuhet se kjo marrëveshje e re shënon një rritje të një rritje të konsiderueshme në vlerën e mbështetjes krahasuar me periudhën e mëparshme 2022/2023, e cila ishte vlerësuar në 37 milionë euro, duke treguar kështu një thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Këto fonde do të përdoren për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe do të përqendrohen, midis të tjerash, në investime në sektorin e energjisë, në veçanti në procesin e dekarbonizimit, sigurimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrimin e trajnimeve dhe punësimit, si dhe mbështetjen e komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”, thuhet në njoftim.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë gjermane duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.