Shkolla e Zhitisë në Komunën e Podujevës u mbyll në vitin 2023. Kjo për shkak të numrit të vogël të nxënësve. 8 kërkesa për mbyllje të shkollave kanë shkuar në vitin 2023 në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Ndërsa për periudhën 2022/2023, nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur për Front Online se janë 15 shkolla e 70 paralele që kanë më pak se 20 nxënës.
“Bazuar në të dhënat e raportuara në sistemin SMIA, në vitin shkollor 2022/23 kanë qenë 15 shkolla amë dhe 70 paralele të ndara që kanë më pak se 20 nxënës. Gjatë vitit 2023, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka pranuar 8 kërkesa nga komunat për pushimin e veprimtarisë së institucioneve edukativo-arsimore, për shkak të numrit të vogël të nxënësve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit
Nga ministria thonë se i kanë të gjitha të dhënat sa i përket nxënësve në shkolla, mirëpo për mbylljen e tyre duhet të vendosin vet komunat.
“MASHTI, ka hartuar analizën për gjendjen në të gjitha institucionet edukativo-arsimore dhe ka një pasqyrë të qartë lidhur me numrin e nxënësve në këto institucione. Këtë analizë e kemi diskutuar me Drejtoritë Komunale të Arsimit, dhe ju kemi paraqitur gjendjen aktuale. Në analizë janë paraqitur edhe hapat që duhet të ndërmerren nga komunat pasi që me legjislacionin në fuqi është në kompetencën e komunave të ndërmarrin hapat për fuzionimin apo shuarjen e këtyre IEA”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it