Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal sot ka nënshkruar Grantin e performancës komunale në vlerë prej 8.3 milionë euro me 11 komuna.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e nënshkrimit të këtij granti u tha se komunat përfituese nga ky grant janë Peja, Rahoveci, Obiliqi, Skenderaj, Suhareka, Kaçaniku, Shtimja, Malisheva, Dragashi, Ranillugu, Parteshi.
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës tha se tha sot bëhet vlerësimi dhe mirënjohja për ato komuna që kanë performuar më mirë.
“Pikënisje për çfarëdo suksesi në rrugëtimin drejt BE-së është, ka qenë dhe do të mbetet administrata moderne publike, administratë efikase, administratë publike llogaridhënëse, transparente dhe çka është shumë me rëndësi një administratë publike e depolitizuar”, u shpreh Bislimi.
Sipas tij, nëse duan të avancojnë në rrugëtimin tonë drejt BE-së atëherë duhet të jenë të suksesshëm e të vendosur në reformimin e administratës publike.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se sot kur flasin për grantin e performancës duhet cekur se në vitin 2021 e kishin gjetur këtë grant të anuluar dhe këtë skemë të mbyllur nga qeveritë e mëhershme që sipas tij e kishin vlerësuar grantin me vetëm 4 milionë euro.
“Që nga viti 2021 deri në vitin 2023 janë financuar mbi 143 projekte me mbështetje prej 20 milionë euro. Në vitin 2024 janë ndarë 8,3 milionë euro shtesë për projektet e tjera”, u shpreh Krasniqi.