Rreth 57 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia, nga fillimi i vitit 2008 e deri në fund të 2023-ës. Këtë e kanë bërë të ditur për Radio Kosovën zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas MPB-së, arsyeja kryesore për kërkesë për lirimin nga shtetësia është moslejimi i dy shtetësisë në shtete të ndryshme, kryesisht të BE-së.
Kërkesat për lirim nga shtetësia po vazhdojnë edhe gjatë këtij vitit, teksa numri i kosovarëve që janë liruar nga shtetësia është treshifrorë. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi, e cila tregon numrin e qytetarëve që kanë hequr dorë apo edhe kanë fituar shtetësinë e Kosovës nga 1 janari i vitit të kaluar.
“Nga 1 janari e deri më 12 shkurt 2024 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 329 persona. Gjatë kësaj periudhe shtetësinë e kanë fituar 61 persona. Ndërsa, gjatë gjithë vitit 2023 nga shtetësia janë liruar 3 mijë e 98 persona, kurse shtetësinë e Republikës se Kosovës e kane fituar 708 persona”, tha ajo.
Nga viti 2008 deri në fund të vitit 2023, nga shtetësia e Kosovës janë liruar 57 mijë e 155 persona, tha Fetoshi, duke shtuar se për periudhën e njëjtë kohore shtetësinë e kanë fituar 3 mijë e 568 persona.
Ndërkohë, zëdhënësja e MPB-së tregoi për Radio Kosovën arsyet kryesore që i shtyjnë kosovarët që të kërkojnë lirimin nga shtetësia.
“Arsyet e heqjes dorë nga shtetësia e Republikë së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i kësaj, kanë fituar të drejtën e fitimi të shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme, në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi ”, tha Fetoshi.
Referuar të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, të vitit 2011, numri prej 57 mijë e 155 personave që kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare është rreth 7 mijë më i madh se numri i përgjithshëm i popullsisë në tri komunat e regjionit të Ferizajt: Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës, të cilat së bashku kanë rreth 50 mijë banorë./rtk