Një ngjarje e rëndë u shënua mëngjesin e sotëm në Bresje të Fushë Kosovës, që për pak përfundoi tragjikisht. Për motive akoma të panjohura, një burrë dyshohet se e qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij. Viktima tashmë është transportuar në QKUK, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
Burimet kanë bërë me dije se gruaja ka plagë në kokë, abdomen e në njërin krah, ku u qëllua me armë zjarri nga burri i saj. Nga Klinika Emergjente kanë bërë me dije se viktima u dërgua në gjendje të rëndë, por fatmirësisht për momentin është me vetëdije.
“I ka kryer disa intervenime, por për momentin gjendja është stabile. Ka disa plagë hyrëse dalëse por gjendja është stabile”.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.” – ka thënë Flora Ahmeti për Sinjalin.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se i dyshuari është Idriz Alija, i cili tashmë është arrestuar, ndërsa viktima është bashkëshortja e tij, Sherife Tahiri (42-vjeçare).
Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.