26 vjet lavdi, sot fillon manifestimi ”Epopeja e UÇK-së”

 

 

Sot në Kosovë fillon Epopeja e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Me 5 mars bëhen 26 vjet nga rënia e komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.

Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.

Edhe sivjet Qeveria e Kosovës ka organizuar aktivitete të shumta për shënimin e Epopesë së UÇK-së, derisa të martën në orën 10:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të Komandantit Legjendar.

Po ashtu, sot në orën 12:00, mbahet ceremonia e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, ku marrin pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se në orën 10:00, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të marr pjesë në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kurse në orën 12:00, presidentja Osmani merr pjesë në Ceremoninë e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d