Me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur të martën seancë solemne. Kjo ditë, nga krerët komunalë u cilësua si ndër ditët me të madha të historisë së Kosovës, ndërsa u kërkua edhe unitet.
Duke përmendur sakrificën e dëshmorëve e martirëve të luftës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se misioni i tyre është frymëzimi i brezave që vijnë. Të njëjtën, tha se e kanë bërë dëshmorët e martirët.
“Sot përkujtomë një moment historik me rendësi të veçantë, 25-vjetori i çlirimit të Prishtinës. Teksa përkujtomë 11 qershorin, duhet të ritheksojmë misionin tonë, përpjekjen tonë kolektive që udhëhiqet nga pasioni për të frymëzuar brezat që vijnë, siç ne u frymëzuam nga ata para nesh. Vlerat e vërteta njerëzorë, shkëlqejnë më së forti në kohë krize dhe historia jonë është dëshmi për këtë. Borxhi që ne kemi ndaj brezave të ardhshëm është që edhe ne t’ua lejmë atyre një trashëgimi uniteti, një trashëgimi fuqie”, u shpreh Rama.
Ndërsa kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka thënë se përpjekja e shqiptareve ndër breza dallohet si histori e sakrificës, krenarisë, heroizmit dhe vendosmërisë.
“Dita lirisë së qytetit tonë, Prishtinës, domosdoshmërisht shënon ditën e lirisë së Kosovës dhe sot me të drejt e themi se është një nga ditët me të madha të historisë moderne të Kosovës. Po festojmë 25-vjetorin e lirisë së Prishtinës e Kosovës të cilën e arrijmë falë përpjekjeve te pashuara me dekada të tëra të rezistencës së vazhdueshme në shumë fusha, si arsim, në kulturë, me luftë politike, etj. Përpjekja e shqiptareve ndër breza dallohet si histori e sakrificës, krenarisë, heroizmit dhe vendosmërisë. Në këtë ditë festë nuk ka si mos t’i kujtojmë dëshmorët, luftëtarët, viktimat e luftës që sakrifikuan gjithçka për te shtrenjtën liri”, u shpreh Kupina.