25 vjet nga bombardimet në Kosovë, SHBA: Përdorimi i forcës nga NATO-ja ishte i nevojshëm dhe legjitim

 

 

Misioni amerikan në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në prag të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, ka thënë se kjo ndërhyrje ishte e nevojshme dhe legjitime për të ndaluar spastrimin etnik nga krimineli Sllobodan Millosheviq.

Përmes një komunikate për media, misioni amerikan në OSBE ka thënë se ajo çka ndodhi në luftën e Kosovës nuk do të harrohet kurrë.

25 vjet më parë, NATO-ja filloi operacionin ‘Forcat Aleate’ për t’i dhënë fund krizës së vazhdueshme humanitare në Kosovë. Pas shterimit të të gjitha rrugëve diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, veprimi ushtarak ishte opsioni i fundit. Përdorimi i forcës nga NATO-ja ishte i nevojshëm dhe legjitim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësime për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ndodhi një çerek shekulli më parë. Ne kujtojmë mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë ose që mbetën të zhdukur, dhe qindra mijëra të dëbuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviqit dhe forcave të tij”, thuhet në komunikatë.

Sipas reagimit të misionit amerikan në OSBE, për t’u siguruar që ajo çka ndodhi në Kosovë të mos përsëritet, “Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin evropian të rajonit”.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve në rajon që të përqendrohen në përfundimin e detyrës për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt. Shtetet e Bashkuara festojnë përparimin tuaj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju për të forcuar qeverisjen demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut, zbatimin e reformës zgjedhore, avancimin e lirisë së medias, përmirësimin e integrimit ekonomik dhe ruajtjen e bashkëpunimit dhe respektit multietnik”, vijon komunikata e tyre.

Misioni amerikan në OSBE vë theksin te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për një “të ardhmen të ndritur të Ballkanit Perëndimor”.

Një e ardhme më e ndritur për Ballkanin Perëndimor kërkon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është rruga e vetme drejt së ardhmes që e meritojnë të gjithë kosovarët dhe serbët”.

Kanë falënderuar misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi për punën e tyre aktive për të ndihmuar të dyja vendet të realizojnë synimet e tyre për integrim më të madh evropian, përfshirë anëtarësimin në BE.

Ne i nxisim të gjitha palët të nderojnë kujtimin e atyre që humbën jetën duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e misionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d